

Profesoresha Zirije Hasani fiton projektin shkencor të MASHT për vitin 2025
Profesoresha Zirije Hasani nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Prizrenit është shpallur përfituese e një projekti shkencor të financuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT) për vitin 2025. Ky projekt bazohet në konceptin e mësimdhënies përmes hulumtimit dhe shënon një arritje historike, duke qenë i pari i fituar në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe i vetmi për këtë vit akademik në Universitetin e Prizrenit.
Projekti ka për qëllim angazhimin e studentëve në hulumtime shkencore, duke ofruar mundësi unike për përfshirjen e tyre në projekte praktike dhe inovative. Qëllimi kryesor i këtij projekti është zhvillimi i një modeli të avancuar për parashikimin e kohës më të mirë për spërkatjen e rrushit në regjionin e Prizrenit, duke përdorur algoritme të ndryshme për parashikimin e kushteve klimatike.
Ky projekt pritet të kontribuojë jo vetëm në zhvillimin profesional të studentëve, por edhe në përmirësimin e praktikave bujqësore lokale, duke integruar teknologjitë e avancuara në bujqësi. Përmes këtij hulumtimi, studentët do të kenë mundësinë të punojnë me algoritme të sofistikuara dhe të aplikojnë njohuritë teorike në projekte konkrete, duke rritur aftësitë e tyre për zgjidhjen e problemeve komplekse.
Profesoresha Hasani shpreh falënderime të veçanta për mbështetjen e MASHT dhe të Universitetit të Prizrenit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe sektorit të bujqësisë për të nxitur inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Kjo arritje e rëndësishme thekson rolin kryesor të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në promovimin e kërkimeve shkencore dhe përfshirjen e studentëve në projekte me ndikim të gjerë për komunitetin.



