

Studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike morën pjesë në Digital Skills Festival 2026 në Prizren
Nga data 21 deri më 23 maj 2026, në Innovation and Training Park (ITP) në Prizren u zhvillua Digital Skills Festival 2026, një nga ngjarjet më të rëndësishme rajonale në fushën e teknologjisë, inovacionit dhe transformimit digjital. Festivali mblodhi mbi 500 studentë, hulumtues, ekspertë të industrisë dhe përfaqësues të institucioneve akademike nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera.
Fakulteti ynë mori pjesë në festival në kuadër të projektit Erasmus+ LAIA – Laboratory on Artificial Intelligence in Albania and Kosovo, duke kontribuar në promovimin e inteligjencës artificiale, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe industrisë.
Në këtë aktivitet morën pjesë studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren: Adis Rexhbeqaj, Agon Zogaj, Muhamed Cejku, Dionesa Bytyqi, Sufjan Misini, Alpet Gexha, Albina Demaj dhe Andi Vehapi, të cilët u angazhuan në ekipet e hackathon-it dhe në aktivitete të ndryshme praktike të festivalit. Mbështetje dhe mentorim për studentët ofroi Prof.Asoc.Dr.Zirije Hasani dhe Prof.Ass.Dr.Arbër Beshiri, mentor i ekipeve pjesëmarrëse.
Gjatë tri ditëve të festivalit u organizuan hackathone, punëtori praktike, ligjërata nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, sesione rrjetëzimi dhe aktivitete të fokusuara në inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike, sipërmarrjen dhe zhvillimin e aftësive digjitale. Studentët patën mundësinë të punojnë në zgjidhjen e sfidave reale të paraqitura nga sektori publik dhe privat, duke zhvilluar ide dhe zgjidhje inovative nën udhëheqjen e ekspertëve të fushës.
Pjesëmarrja e studentëve të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në këtë festival kontribuoi në avancimin e njohurive dhe aftësive të tyre praktike, forcimin e bashkëpunimit me industrinë dhe promovimin e inovacionit dhe kërkimit shkencor. Aktiviteti shërbeu gjithashtu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e kontakteve profesionale me pjesëmarrës nga institucione të ndryshme akademike dhe organizata inovative.
Fakulteti i Shkencave Kompjuterike mbetet i përkushtuar në mbështetjen e studentëve dhe stafit akademik në aktivitete që promovojnë teknologjitë moderne, inovacionin dhe zhvillimin profesional, duke kontribuar në përgatitjen e gjeneratave të reja për sfidat e ekonomisë dhe shoqërisë digjitale.






