

Studentët e FSHK-së vizituan laboratorin më të ri për analizë frekuencore të sinjaleve në KREN
Studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike (FSHK), së bashku me u. d. dekanin e FSHK-së prof. asoc. dr. Arsim Susuri, realizuan një vizitë studimore në ambientet e Rrjetit Kosovar për Hulumtim dhe Edukim (KREN), ku u njohën nga afër me laboratorin më të ri për analizë frekuencore të sinjaleve dhe teknologjitë moderne që përdoren për monitorimin, analizën dhe gjeolokalizimin e sinjaleve radiofrekuencore.
Gjatë vizitës, pajisjet dhe infrastruktura laboratorike u prezantuan nga z. Atif Basani, Administrator i Sistemit Informativ në KREN. Studentët patën mundësinë të njihen me funksionalitetet e sistemit, proceset e matjes së spektrit radiofrekuencor, analizën e sinjaleve me gjerësi të ndryshme brezi, si dhe metodat e gjeolokalizimit të burimeve të transmetimit përmes sensorëve të specializuar RF.
Laboratori përfshin pajisje dhe softuerë të avancuar për menaxhimin e sensorëve, monitorimin e spektrit, analizën e sinjaleve dhe gjeolokalizimin e transmetuesve duke përdorur algoritme moderne si TDOA (Time Difference of Arrival), RSS (Received Signal Strength) dhe qasjet hibride. Sistemi mundëson konfigurimin e parametrave të matjes, përzgjedhjen e sensorëve, kontrollin e akuzimit të të dhënave, aktivizimin e matjeve përmes mekanizmave të ndryshëm të triggerimit, si dhe përpunimin dhe vizualizimin e rezultateve në platforma gjeografike dhe GIS. Gjithashtu, infrastruktura mbështet analizën e të dhënave historike, krijimin e hartave të gjeolokalizimit dhe studimin e sjelljes së sinjaleve në mjedise reale.
Ky laborator do të shërbejë si një infrastrukturë shtesë laboratorike për realizimin e ushtrimeve praktike dhe projekteve studentore në lëndët Konceptet e Telekomunikimit Mobil, Sinjalet dhe Sistemet, Rrjetet Sensorike Pa Tela, si dhe Sensorët dhe Interfejsët. Përmes kësaj infrastrukture, studentët do të kenë mundësi të aplikojnë në praktikë konceptet teorike të përpunimit të sinjaleve, komunikimeve pa tela, analizës së spektrit dhe sistemeve sensorike.
Investimi për krijimin e këtij laboratori është realizuar nga Ministria e Ekonomisë, duke kontribuar në avancimin e kapaciteteve laboratorike dhe kërkimore në fushën e telekomunikimeve, teknologjive të informacionit dhe sistemeve inteligjente. Laboratori pritet të shfrytëzohet jo vetëm për mësimdhënie, por edhe për aktivitete kërkimore, projekte zhvillimore dhe bashkëpunime me industrinë dhe institucionet publike.








