

Prof. Asoc. Dr. Zirije Hasani përfundon me sukses programin Fulbright për vitin akademik 2024-25 në Iowa State University
Me përfundimin e suksesshëm të programit prestigjioz Fulbright për vitin akademik 2024-25, Prof. Asoc. Dr. Zirije Hasani ka shënuar një arritje të rëndësishme në fushën e kërkimeve shkencore ndërkombëtare. Në kuadër të këtij programi, ajo realizoi një projekt postdoktorature në Iowa State University, duke u fokusuar në temën: “Modelet e avansuara per parashikim të kushteve klimatike”.
Projekti hulumtues synoi zhvillimin e një modeli të avancuar për parashikimin e kushteve të motit, të përshtatshëm për kultivimin inteligjent të rrushit, duke krahasuar kontekste të ndryshme klimatike dhe agronomike midis Kosovës dhe shtetit të Iowas. Ky projekt jo vetëm që kontribuon në përmirësimin e praktikave të kultivimit të rrushit në këto rajone, por gjithashtu ka potencial për të ndikuar në zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme në nivel global. Ajo u prit në takim dy here nga Konsulata e Kosovës në Iowa ku diskutuan për bashkëpunimet akademike që mund të zhvillohen mes dy vendeve në fushën e agrikulturës së menqur.
Prof. Hasani u vlerësua për angazhimin dhe dedikimin e saj në krijimin e urave bashkëpunuese midis institucioneve kërkimore në Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara. Ajo ndau përvojat dhe gjetjet e saj me kolegët dhe studentët, duke promovuar shkëmbimin akademik dhe avancimin e kërkimit shkencor.
Me përfundimin e këtij programi, Prof. Hasani shpreh mirënjohjen e saj për mbështetjen e ofruar nga programi Fulbright dhe Iowa State University. Kjo përvojë shërben si një shtytje e mëtejshme për avancimin e saj akademik dhe kontribuimin në zhvillimin shkencor dhe bujqësor të Kosovës.
Programi Fulbright mbetet një platformë e rëndësishme për shkencëtarët dhe hulumtuesit nga mbarë bota për të zhvilluar karrierën e tyre akademike dhe për të ndërtuar bashkëpunime ndërkombëtare me ndikim të gjerë.








