

Mundësi e regjistrimit dhe ndjekjes së trajnimeve falas për Microsoft Azure Cloud dhe Linux Administration
Të nderuar,
Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë për mundësinë e regjistrimit dhe ndjekjes së trajnimeve falas për Microsoft Azure Cloud dhe Linux Administration të realizuara nga CACTTUS Education me mbështetje të Projektit të Ekonomisë Dixhitale të Kosovës (KODE) dhe programit të tij Youth Online and Upward (YOU), trajnimet ofrohen tërësisht falas në hapësirat e KREN në ITP Prizren.
Rreth Trajnimit
Microsoft Azure është një platformë e avancuar e niveleve shume te larta në infrastrukturën e Cloud Computing. Ky shërbim i ofruar nga Microsoft ju mundëson të krijoni, të implementoni dhe të menaxhoni aplikacione në infrastrukturën e tyre të Cloud-it. Azure Cloud ofron një gamë të gjerë të shërbimeve, duke përfshirë ruajtjen e të dhënave, zhvillimin e aplikacioneve, analizën e të dhënave, inteligjencën artificiale dhe shumë të tjera. Kjo platformë e sigurt e cila mund te përshkallëzohet lehtësisht është e përshtatshme për organizatat e të gjitha madhësive dhe ofron mundësinë për të zgjeruar hapësirën e infrastrukturës së tyre kompjuterike pa nevojën për të blerë dhe menaxhuar harduer (pajisje fizike) lokalisht.
Kandidatët që ndjekin kurset e trajnimit të Microsoft Azure Cloud dhe Linux pritet të demonstrojnë ekspertizë në zbatimin, menaxhimin dhe monitorimin e zgjidhjeve që funksionojnë në Microsoft Azure, duke mbuluar rrjetet virtuale, ruajtjen, virtualizimin dhe sigurinë. Për më tepër, kandidatët pritet të kenë një bazë të fortë në përdorimin dhe punën me sistemet operative te Microsoft dhe Linux. Për të arritur këto qëllime, programi i trajnimit do të mbulojë kurse specifike, ju lutemi vazhdoni të lexoni (Shkarko) për të parë përmbledhjen/përmbajtjen e kursit.
Trajnimet
Cacttus Education do të ofroj një program trajnimi gjithëpërfshirës për një kohëzgjatje minimale prej gjashtë muajsh, i cili do të përfshijë trajnime në klasë dhe në shtëpi. Qëllimi i këtyre trajnimeve është t’i pajisim përfituesit me aftësi dhe shkathtësi teknike dhe shkathtësi të buta për të rritur punësimin e tyre në tregun e TIK-ut në Kosovë dhe/ose në platformat e pavarura online. Programi i trajnimit për Azure Cloud dhe Linux do të fokusohet në rikualifikimin dhe, në disa raste, përmirësimin e aftësive të përfituesve në ekspertizën teknike dhe shkathtësitë e buta që lidhen me zhvillimin e tyre profesional. Kohëzgjatja totale e parashikuar e programit do të jetë 285 orë, e cila do të përfshijë udhëzime në klasë, detyra individuale në shtëpi dhe detyra grupore për zbatimin praktik të koncepteve teorike.
Kohëzgjatja e trajnimeve
Trajnimet janë planifikuar të mbahen ne sesione trajnuese me kohëzgjatje prej (4) orë në ditë, gjatë ditëve të punës, nëse është e nevojshme, trajnimi mund të organizohet dhe zhvillohet edhe në fundjavë. Trajnimi do të organizohet në dy orare, do të ketë orar paradite nga ora 08:30 – 12:30 dhe orar pasdite nga ora 13:00 – 17:00. Të gjitha materialet e trajnimit do të jenë në gjuhën angleze dhe trajnimi do të zhvillohet në gjuhën shqipe.
APLIKO
Apliko për tu ndjekur trajnimet për Azure Cloud dhe Linux të mundësuara nga KODE në link/vegzën në vijim: https://forms.kodeproject.org/formulari-per-aplikim/?mdlcd=t147&prgrm=Microsoft%20Azure%20and%20Linux%20-%20Prizren
Për më shumë informata dhe detaje rreth përmbajtjes së kurseve në kuadër të trajnimeve për Azure Cloud dhe Linux Administration mund të analizoni planprogramin e bashkangjitur apo edhe të vizitoni Web faqen e Cacttus Education: https://cacttus.education/kode
Ju inkurajojmë të gjithë juve të aplikoni dhe shfrytëzoni këtë mundësi për të vijuar këto trajnime.