

Dr. sc. Endrit Fetahi nga Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” përfiton angazhim për hulumtime të avancuara Post-Doc në Universitetin e Vjenës, i mbështetur nga bursa SHER
Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren njofton se Dr. sc. Endrit Fetahi, mësimdhënës në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, është përzgjedhur për të përfituar nga bursa prestigjioze ndërkombëtare SHER (Scientific Exchange Research Grant), e financuar nga OeAD – Agjencia Austriake për Arsimin dhe Mobilitetin Ndërkombëtar.
Në kuadër të kësaj burse, ai do të angazhohet në hulumtime të avancuara në nivel Post-Doctoral për një periudhë të caktuar në Universitetin e Vjenës, një ndër institucionet më prestigjioze akademike në botë dhe pjesë e top 100 universiteteve globale.
Programi SHER mbështet zhvillimin e kërkimit shkencor përmes bashkëpunimit me institucione të njohura në Austri, duke krijuar mundësi për shkëmbim akademik dhe avancim profesional.
Ky sukses përfaqëson një arritje të rëndësishme për Universitetin “Ukshin Hoti”, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së kërkimit shkencor dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Universiteti “Ukshin Hoti” shpreh urimet për këtë arritje dhe i dëshiron suksese të mëtejshme në angazhimet kërkimore.



